Shqiptarët e Luginës votojnë sot për 29 anëtarët e Këshillit Kombëtar

Advertisement

Qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës votojnë sot për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar, institucionit që përfaqëson komunitetin shqiptar në Serbi dhe mbron të drejtat e tij që i garantohen me Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore, të cilët do të kenë mundësinë të votojnë për kandidatët që do t’i përfaqësojnë në Këshillin Kombëtar Shqiptar gjatë mandatit të ardhshëm 4-vjecar. Për 29 vendet në këtë organ garojnë katër lista zgjedhore me gjithsej 107 kandidatë, të cilët synojnë të marrin besimin e votuesve dhe të sigurojnë përfaqësimin në këtë organ për çështjet që lidhen me të drejtat kolektive të shqiptarëve në Serbi.

Këto zgjedhje vijnë pas rikthimit të KKSH-së në përbërjen prej 29 anëtarësh, nga 15 sa kishte për më shumë se një dekadë, ndryshim që lidhet me të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.

KKSH është si një lloj ure mes shqiptarëve të Luginës dhe institucioneve të Serbisë, por edhe si një organ përmes të cilit komuniteti shqiptar i ushtron disa nga të drejtat e veta kolektive. Edhe ndihma që vjen nga Kosova duhet të kalojë përmes KKSH.

Një ditë para votimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të këtyre tri komunave që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike të votës, lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre.

Kurti ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës e studentë, si dhe përkrahjes për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit