Në Teatrin Shqiptar në Shkup sonte është promovuar libri “E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit (1992)”, i historianit Qerim Lita.
Në promovimin e librit ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të ngjarjeve historike për brezat e ardhshëm.
“Historia duhet të shkruhet që të mos harrohet. Brezat që vijnë pas nesh duhet të kenë mundësi ta njohin atë përmes dokumenteve dhe dëshmive të kohës”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka falënderuar historianin Qerim Lita për punën e realizuar me këtë botim, duke theksuar se libri u mundëson edhe atyre që nuk i kanë përjetuar ngjarjet e vitit 1992 të njihen me atë që ndodhi në Bit Pazar dhe të kuptojnë rëndësinë historike të 6 nëntorit për shqiptarët e Shkupit.








