Qeveria e RMV-së sqaron përfaqësimin etnik në konkursin për Akademinë Ushtarake

Advertisement

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka sqaruar akuzat lidhur me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në konkursin për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostollski”, duke publikuar të dhënat për përkatësinë etnike të kandidatëve.

Sipas të dhënave të publikuara, në konkursin për 29 vende janë paraqitur gjithsej 99 kandidatë, prej të cilëve 95 maqedonas, dy shqiptarë, një rom dhe një vllah.

Nga 99 kandidatët, 46 kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në konkurs. Sa u përket dy kandidatëve shqiptarë, njëri është tërhequr nga gara, ndërsa tjetri është renditur në vendin e 43-të.

Qeveria i ka cilësuar akuzat me karakter etnik si populiste dhe të pabazuara, duke vlerësuar se deklaratat e tilla nxisin jotolerancë ndëretnike, në vend që të paraqesin faktet.

Në sqarim thuhet se për realizimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është e nevojshme që qytetarët nga bashkësitë e ndryshme etnike të aplikojnë në konkurset publike. Njëkohësisht, Qeveria thekson se do të mbetet e përkushtuar ndaj parimit të pranimit të kandidatëve më të mirë në Armatë.

Qeveria gjithashtu thekson se konkursi është publikuar në mënyrë transparente, në gjuhën maqedonase dhe shqipe, në gazeta ditore, në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Akademisë Ushtarake.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit