E qëlloi me thikë rreth 10 herë, detajet tronditëse nga vrasja e 39-vjeçares shqiptare nga djali i saj

Advertisement

E kam vrarë nënën time, do ta gjeni në shtëpi”. Kështu ka deklaruar 21-vjeçari shqiptar Eduart Xhani pasi ka vrarë nënën e tij, Meleqe Lusha. Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në qytetin e e Chiari-t, në provincën e Brescias në Itali.

Viktima 39-vjeçare u gjet e pajetë në banesën e saj në rrugën. Sipas informacioneve paraprake të hetimit, djali i saj dyshohet se gjatë natës i ka shkaktuar rreth dhjetë plagë me thikë në pjesën e sipërme të trupit, përpara se të largohej nga banesa.

Pas disa orësh endjeje, i riu është paraqitur vullnetarisht në një kazermë të Karabinierëve në Cremona, ku ka bërë deklaratën tronditëse. Më pas ai është mbyllur në heshtje dhe, sipas hetuesve, ka folur me vështirësi, pa dhënë shpjegime për arsyet e ngjarjes.

Prokurorja e gatshme e Brescias, Laura Matrone, ka nxjerrë urdhrin e ndalimit ndaj 21-vjeçarit. Rreth 12 orë pas vetëdorëzimit, ai është shoqëruar në burgun Canton Mombello në Brescia. Gjatë gjithë ditës, ekspertët e hetimeve shkencore të Karabinierëve kanë kryer këqyrjet në apartamentin ku jetonin nëna dhe djali. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes dhe të zbardhin motivin e vrasjes, i cili mbetet ende i paqartë.

Eduart Xhani kishte lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës. Ai kishte ndjekur studimet në Institutin Einaudi dhe punonte si punëtor në një fabrikë të zonës. Lajmi ka shkaktuar tronditje të madhe në Chiari, ku familja ishte e njohur dhe e integruar në komunitetin lokal. Edhe komuniteti shqiptar në zonën e Brescias është tronditur nga ngjarja.

Dennis Beqiri, president i Shoqatës së Shqiptarëve në Chiari dhe pronar i një agjencie imobiliare ku i riu kishte kryer një praktikë gjatë shkollës, e ka përshkruar Eduartin si një djalë të sjellshëm dhe serioz.

“Eduarti ishte një djalë shumë i mirë, i edukuar dhe serioz. Ishte shembull për komunitetin. Gjithmonë vinte në kohë, ishte i buzëqeshur dhe korrekt. Isha i bindur se do të kishte një të ardhme të suksesshme”, ka deklaruar Beqiri.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe për të përcaktuar motivin që çoi në vdekjen tragjike të 39-vjeçares.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit