OKB-ja në Shkup për terrorizmin, Toshkovski paralajmëron njësi speciale për monitorimin e internetit

Advertisement

 

Maqedonia e Veriut po përgatitet të forcojë mekanizmat e sigurisë kundër kërcënimeve terroriste, me fokus të veçantë te radikalizimi në internet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se vendi ka nisur procesin për formimin e një njësie të specializuar kombëtare, e cila do të monitorojë dhe luftojë përmbajtjet terroriste në hapësirën digjitale.

Njoftimi u bë gjatë hapjes së vizitës vlerësuese të delegacionit të Kombeve të Bashkuara, i cili nga 2 deri më 6 nëntor do të shqyrtojë kapacitetet e Maqedonisë së Veriut në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Sipas Toshkovskit, një vlerësim i tillë i fundit është realizuar në vitin 2011, ndërsa gjatë 15 viteve të fundit vendi ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në sistemin e sigurisë.

Ai paralajmëroi gjithashtu rishikimin e Strategjisë Kombëtare për Luftën kundër Terrorizmit, si dhe organizimin e ushtrimeve të përbashkëta institucionale për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përballjen me kërcënimet hibride.

Delegacioni i OKB-së, i kryesuar nga zëvendësdrejtoresha e CTED-it, Carmen Cantor, gjatë qëndrimit në vend do të shqyrtojë edhe sigurinë kufitare, financimin e terrorizmit, bashkëpunimin policor dhe gjyqësor, si dhe përdorimin e internetit dhe teknologjive të reja për qëllime terroriste.

Në kuadër të vizitës janë paraparë edhe inspektime në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe në pikën kufitare të Tabanocit./Ora24.tv

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit