Studentët pranojnë modelin e ri të vaktit ushqimor, shuma mujore rritet në 4.500 denarë

Advertisement

Studentët kanë pranuar modelin e ri të propozuar për vaktin e subvencionuar studentor, i cili parasheh rritjen e shumës mujore nga 3.500 në 4.500 denarë. Megjithatë, pranimi i këtij propozimi shoqërohet me dy kushte që studentët kërkojnë të përmbushen para se modeli të hyjë në fuqi.

Organizata „Rezistenca Studentore“ ka bërë të ditur se modeli i propozuar është i pranueshëm për studentët, por kërkon që të gjitha zgjidhjet e dakorduara të përfshihen në Ligjin për vaktin e subvencionuar studentor. Gjithashtu, kërkohet që lista e kompanive, marketeve dhe operatorëve ku do të mund të shfrytëzohen mjetet të publikohet paraprakisht.

„Pranimin e modelit të propozuar e kushtëzojmë me përfshirjen e zgjidhjeve të dakorduara në ligj dhe publikimin me kohë të listës së kompanive dhe marketeve“, thuhet në qëndrimin e „Rezistencës Studentore“.

Modeli i ri parasheh vendosjen e një sistemi të veçantë digjital, „M-vakti studentor“, përmes të cilit studentët do të mund t’i përdorin mjetet në restorante, markete dhe operatorë të tjerë të përfshirë në sistem.

Përveç rritjes së shumës mujore në 4.500 denarë, parashihen edhe zbritje shtesë në subjektet e përfshira. Këto zbritje do të vlejnë deri në fund të muajit, pavarësisht nëse studenti e ka shpenzuar të gjithë shumën e subvencionit.

Përmes sistemit digjital synohet që shfrytëzimi i mjeteve të kontrollohet dhe të kufizohet vetëm për ushqim dhe pije joalkoolike, duke parandaluar përdorimin e tyre për produkte që nuk janë pjesë e qëllimit të kësaj mase, si cigaret dhe alkooli.

Ndryshe, propozimi i ri iu prezantua përfaqësuesve të organizatave dhe parlamenteve studentore gjatë takimit të së mërkurës me kryeministrin dhe ministren e Arsimit. Pas takimit, kryeministri kishte deklaruar se priste përgjigjen e studentëve, duke vlerësuar se modeli i ri paraqet zgjidhje më të mirë se ai aktual.

Studentët ndërkohë kanë theksuar vazhdimisht se shuma e vaktit të subvencionuar nuk është rritur prej tre vitesh.

Tashmë mbetet të shihet nëse Qeveria do t’i pranojë kushtet e studentëve dhe do t’i përfshijë ato në ndryshimet ligjore që do të mundësojnë zbatimin e modelit të ri.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit