Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka kritikuar koalicionin AKI për mungesën e përfaqësuesve të tij në pritjen e vëllezërve arbëreshë nga Kalabria, të cilët vizituan Strugën.
Përmes një reagimi publik, Qyra thekson se vizita dhe binjakëzimi i komunave përbënin një ngjarje me rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe kombëtare, e cila, sipas tij, duhej të tejkalonte ndarjet politike.
Ai ka vënë në pikëpyetje mungesën e përfaqësuesve të koalicionit opozitar AKI, ndonëse ata ishin të ftuar zyrtarisht, duke theksuar se patriotizmi nuk dëshmohet vetëm me deklarata, por edhe me pjesëmarrje dhe veprime konkrete.
Qyra ka nënvizuar se arbëreshët, të cilët për më shumë se pesë shekuj kanë ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar, meritojnë respekt nga të gjithë, pavarësisht përkatësisë politike.
Në reagimin e tij, ai e cilëson mungesën e AKI-së si një dëshmi të hendekut mes retorikës patriotike dhe veprimeve konkrete./Ora24.tv








