Shkup, 31 tetor Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, mori pjesë sot në hapjen e Ditëve të Noterisë 2026, të organizuara nga Oda e Noterëve, me temë „Diskutimi për trashëgiminë: ndërmjet kornizës ligjore dhe praktikës noteriale“.
Në fjalën e tij, ministri Shasivari theksoi rëndësinë e noterisë si një nga shtyllat e sistemit juridik dhe garantues të sigurisë juridike të qytetarëve, duke nënvizuar se puna e noterëve ka ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të drejtave pronësore, marrëdhënieve familjare dhe sigurisë së transaksioneve juridike.
Ai theksoi se besimi i qytetarëve është kapitali më i madh i institucioneve, ndërsa ushtrimi i profesionit të noterit kërkon, krahas ekspertizës juridike, integritet, pavarësi, etikë profesionale dhe përgjegjësi të lartë.
Ministri Shasivari bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë, në kuadër të reformave të ardhshme dhe procesit të integrimit evropian, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë avancimit të legjislacionit noterial, harmonizimit të tij me standardet bashkëkohore dhe digjitalizimit të procedurave dhe shërbimeve.
Sipas tij, digjitalizimi duhet të mundësojë procedura më të shpejta, më pak barriera administrative, kosto më të ulëta, transparencë më të madhe dhe qasje më të lehtë të qytetarëve në shërbimet juridike.
Në këtë drejtim, Shasivari theksoi se Oda e Noterëve do të jetë partner i rëndësishëm dhe i barabartë i Ministrisë së Drejtësisë, pasi reformat e qëndrueshme nuk realizohen vetëm përmes ndryshimeve ligjore, por edhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me profesionistët që i zbatojnë ato në praktikë.
Në përfundim, ministri uroi që Ditët e Noterisë 2026 të shërbejnë si platformë për diskutime përmbajtjesore, shkëmbim përvojash dhe propozime konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të noterisë në vend.
„Siguria juridike ndërton besimin, profesionalizmi e mbron atë, ndërsa përgjegjësia e bën drejtësinë të prekshme për çdo qytetar“, theksoi ministri Shasivari.përcjell Zhurnal.mk .








