ОКТА me rritje rekorde të fitimit: Mbi 2 miliardë denarë fitim neto në nëntë muajt e parë të vitit

Advertisement

Shkup, 30 tetor 2026 – Kompania OKTA ka shënuar rritje të konsiderueshme të rezultateve financiare gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026. Kompania ka realizuar fitim neto prej 2.062 milionë denarësh, krahasuar me 447 milionë denarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që paraqet rritje prej 361 për qind.

EBITDA ka arritur në 2.340 milionë denarë, që është rritje prej 356 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishte 513 milionë denarë. Fitimi para tatimit ka arritur në 2.307 milionë denarë, me rritje prej 371 për qind.

Të ardhurat nga shitjet kanë arritur në 57.622 milionë denarë, duke shënuar rritje prej 105 për qind në nivel vjetor. Sipas kompanisë, kjo rritje kryesisht vjen si rezultat i vëllimit më të madh të shitjeve në tregun vendor dhe atë të eksportit, performancës më të mirë tregtare dhe çmimeve më të larta të karburanteve.

Rritje të konsiderueshme ka shënuar edhe EBITDA e përshtatur, pa përfshirë efektin e rivlerësimit të rezervave. Ajo ka arritur në 1.127 milionë denarë, dyfish më shumë krahasuar me 564 milionë denarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga OKTA theksojnë se kërkesa e lartë në treg dhe fleksibiliteti më i madh logjistik kanë ndikuar në rritjen e shitjeve, ndërsa shfrytëzimi i produktpërçuesit Selanik–Shkup ka forcuar më tej kapacitetet e kompanisë për furnizimin e tregut rajonal.

Kompania bën të ditur se nga marsi i vitit 2026, përmes iniciativave të përkohshme për zbritje të çmimeve të karburanteve, ka ofruar mbështetje për tregun vendor në vlerë prej mbi 7 milionë eurosh, me qëllim zbutjen e presioneve të çmimeve dhe ruajtjen e stabilitetit të furnizimit.

Përveç rezultateve financiare, gjatë tremujorit të tretë OKTA ka lansuar edhe fushatën „Programi i Garancisë“, e cila synon garantimin e cilësisë dhe sasisë së karburanteve. Kompania ka vazhduar gjithashtu aktivitetet në fushën e mbrojtjes së mjedisit, sigurisë në komunikacion dhe arsimit.

Nga kompania presin që zhvillimet gjeopolitike dhe kushtet ekonomike globale të vazhdojnë të ndikojnë në tregun e karburanteve, ndërsa theksojnë se do të mbeten të përqendruar në efikasitetin operacional, sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin afatgjatë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit