Bursa më e madhe në botë e kriptovalutave, “Binance”, konfirmoi mbrëmjen e kaluar se në një sulm kibernetik janë vjedhur asete digjitale në vlerë prej 6.3 miliardë dollarësh, raportoi BBC. Kompania bëri të ditur se ka arritur të ngrijë rreth gjysmën e kësaj shume, me ndihmën e platformave partnere, dhe deklaroi se do të “mbulojë të gjitha humbjet e shkaktuara”. Nga “Binance” bëjnë të ditur se kontrollet e para të brendshme tregojnë se sulmi ka të ngjarë të ketë origjinën nga një laptop i komprometuar, që i përkiste njërit prej inxhinierëve të kompanisë. Kjo i ka mundësuar sulmuesit të kryejë tërheqje të paautorizuara të shumave të mëdha të parave.
Dy kompani analitike ia atribuojnë këtë incident – i cili tejkalon sulmin rekord të mëparshëm ndaj bursës “Bybit” në vitin 2025, me vlerë 1.5 miliardë dollarë – një grupi hakerësh nga Koreja e Veriut, të njohur me emrin “TraderTraitor”. Kompania “TRM Labs”, e cila kryen hetime me ndihmën e inteligjencës artificiale, në raportin e saj thekson se disa elemente të sulmit ndaj “Binance” ngjajnë me incidente të mëparshme të lidhura me Korenë e Veriut, përfshirë edhe sulmin ndaj “Bybit”.
Kryeanalisti i “TRM Labs”, Ari Redbord, deklaroi për BBC-në se ky grabitje përbën një “pikë kthese” të paprecedentë për industrinë e kriptovalutave. Ai shtoi se sulmuesi ende zotëron një sasi të madhe të parave të vjedhura, çka do të thotë se gjurmimi i fondeve sapo ka filluar.
“Binance” u themelua në Kinë në vitin 2017 dhe sot ka më shumë se 300 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën, megjithëse prej vitesh është nën mbikëqyrjen e rreptë të rregullatorëve financiarë në një numër të madh vendesh. Në vitin 2024, kompania njoftoi se administronte asete me vlerë mbi 160 miliardë dollarë. Lajmi për sulmin shkaktoi rënien e çmimit të Bitcoin-it me më shumë se 4 për qind, ndërsa edhe kriptovalutat e tjera kryesore, si Ethereum dhe Solana, shënuan rënie të çmimeve.








