11 zyrtarë policorë janë suspenduar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në mesin e të suspenduarve, është edhe Faruk Muqolli, shef i hetimeve në Stacionin Policor të Pejës, së bashku me katër hetues dhe shefin e operativës.
Sipas njoftimit të Policisë, suspendimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve është duke u zhvilluar një hetim paraprak për veprimet apo mosveprimet e tyre në këtë rast.
Po ashtu, janë suspenduar shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, komandanti i Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.
Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar në ruajtjen e integritetit dhe ofrimin e shërbimeve në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe se do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante.








