Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë seancës së sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, hodhi poshtë akuzat e kryetarit të partisë opozitare LSDM-së, Venko Filipçe. Ai theksoi se përpjekjet për të ndërlidhur zhvillimet aktuale politike në Serbi me të dhe me Qeverinë bazohen, siç u shpreh ai, në gënjeshtra dhe konstrukte politike.
“Këto konferenca për shtyp, të cilat i transmeton partia juaj politike dhe që kanë të bëjnë me zgjedhjet në Serbi dhe lidhjen e tyre me ne, në kontekstin se kush ka qenë mentori i kujt dhe çfarë lloj mentori ka qenë, nuk do t’i komentoj. Do t’ia lë kohës të japë përgjigje për të gjitha ato që po i thoni sot dhe për gënjeshtrat që po i përhapni. Dje, në një deklaratë timen, u kërkova falje qytetarëve për gjithçka që do të dëgjojnë gjatë periudhës në vijim. Ky është thjesht niveli me të cilin ju mendoni se, në këtë moment, do të arrini të fitoni vota. Ky është vendimi juaj; ndiqni lirisht politikën ashtu siç mendoni se duhet. Megjithatë, nëse më kërkoni këshillë, mendoj se po ndërmerrni hapa krejtësisht të gabuar. Por ky është vendimi juaj dhe unë nuk do të ndërhyj në këtë çështje”, deklaroi Mickoski dhe shtoi:
“Të njëjtën gjë e thoshit edhe për Orbanin para gjashtë muajsh, me të njëjtat konferenca për shtyp, nga fillimi deri në fund. Krahasoni deklaratat e atëhershme me ato të sotmet, edhe atëherë pretendonit se do të zbuloheshin veprimet kriminale të Mickoskit në bashkëpunim me Orbanin dhe shpreheshit se nuk dihej çfarë po ndodhte e të tjera si këto. Por, ja, kanë kaluar gjashtë muaj dhe është dëshmuar vetëm një gjë: se kemi marrë një kredi të favorshme financiare nga Hungaria. Kredi të cilën e kemi përdorur në mënyrë të përshtatshme, ndërsa dëshmi për përdorimin e duhur të saj është raporti i sotëm i Entit Shtetëror për Revizion.”
Kryeministri Mickoski theksoi se, ndryshe nga skandalet e paralajmëruara nga partia opozitare LSDM-ja, informacionet e deritanishme tregojnë se mjetet nga kredia hungareze janë përdorur për mbështetjen e ekonomisë dhe të sektorit të biznesit vendor, ndërsa këtë e konfirmon edhe raporti i Entit Shtetëror për Revizion.
Sot Enti Shtetëror për Revizion konstaton se mjetet nga kredia hungareze janë të destinuara për rritjen e ekonomisë maqedonase. Një pjesë e tyre është dedikuar për shlyerjen e një euroobligacioni në vlerë prej gjysmë miliardi, të emetuar nga qeveria e mëparshme, ndërsa pjesa tjetër për mbështetjen e sektorit të biznesit vendor, tha Mickoski.
“Domethënë, gjatë këtyre gjashtë muajve nuk ka as edhe një ‘K’ nga kriminaliteti, por vetëm konfirmim se kjo qeveri i ka bërë një të mirë këtij shteti”, u shpreh me vendosmëri Mickoski.








