Nga Edi Rama, kryeministër
E kam pyetur veten vazhdimisht këto ditë:
A është e mundur të pranohet si normalitet, agresioni i një turme, e cila, në emër të rinisë, studentëve, ardhmërisë, kërkon të na imponohet të gjithëve, jo thjesht duke thyer xhamat e Ministrisë së Arsimit dhe dyqaneve pranë saj, po duke thyer çdo normë të bashkëjetesës mes njerëzish të të njëjtit qytet?
Dhe kur them të gjithë nuk kam parasysh veten, qeverinë, shumicën parlamentare. Jo, kam parasysh të gjithë, pa përjashtim të gjithë ata, që nuk janë pjesë e këtij agresioni dhe që përjetojnë frikë, pasiguri, pështjellim nga kjo turmë dhunuesish urbanë dhe përndjekësish online.
Patjetër që kam parasysh edhe ata që nuk e kanë votuar këtë qeveri, nuk më duan mua kryeministër, nuk janë dakord me asgjë që ne bëjmë, po ama duan të lëvizin lirisht në këtë qytet, duan të çojnë fëmijët në shkollë, të shkojnë në punë, të mbajnë hapur dyqanet deri në darkë, të shëtisin në mbrëmje të patrazuar. Shkurt, duan të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës së tyre, për shkak të një turme agresive ndaj normalitetit të Tiranës.
A mundet të na imponohet të gjithëve një turmë, e cila pasi ka ardhur me muaj të tërë vërdallë nëpër Tiranë, duke xhiruar përnatë rrugët e qendrës me britma dhe të shara dhe duke shqetësuar njerëzit e ulur nëpër kafe, brenda nëpër dyqane, restorante ose lart nëpër shtëpi, apo duke u jashtënxjerrë në kryqëzime për të bllokuar trafikun, duke bullizuar e goditur drejtues automjetesh të penguar në rrugën e tyre, pa pyetur fare për lirinë dhe për të drejtat e askujt tjetër, shpërthen në një furi dhune, me gurë e me zjarr kundër qytetit, kundër institucioneve, kundër dyqaneve, kundër policisë së shtetit?
Kush janë këta dhe në emër të kujt duan t’i imponojnë shoqërisë sonë, kryeqytetit tonë, vendit tonë, shembullin e forcës së verbër të anti-ligjit dhe anti-njerëzillëkut?
Nuk dua t’i rikthehem këtu përbërjes së kësaj turme, një mishmash kategorish ku janë mbledhur bashkë individë e grupe sociale, parti politike që s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. As dua të përsëris këtu përzierjen e duarve të huaja, parasë së zezë, krimit të organizuar…








