Kryeministri Hristijan Mickoski, pas promovimit të aplikacionit “m.Uslugi”, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve për zgjedhjet të parakoshme lokale në Bërvenicë,që do të mbahen më 1 nëntor,u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë me arsye dhe zemër, e jo vetëm mbi baza etnike.
Mickoski tha se shqiptarët dhe maqedonasit do të vazhdojnë të jetojnë krah për krah edhe pas zgjedhjeve, ndërsa akuzoi disa politikanë se po përpiqen të krijojnë ndasi etnike për të shpëtuar të ardhmen e tyre politike.
“Mos votoni kurrë për një politikan vetëm sepse i përket një grupi etnik apo tjetrit. Votoni me arsyen dhe zemrën tuaj”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se qytetarët duhet të votojnë për atë që do t’u sjellë kushte më të mira atyre dhe familjeve të tyre, si dhe më shumë projekte.
“Politikanët do të largohen, ndërsa ju, maqedonas dhe shqiptarë, do të vazhdoni të jetoni krah për krah”, theksoi Mickoski./Ora24.tv








