Miteva: Maqedonia shënon rritjen më të lartë ekonomike në rajon, Banka Botërore rrit parashikimin për vitin 2026

Advertisement

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, bëri të ditur se Banka Botërore ka rritur parashikimin për rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut për vitin 2026 në 3,2 për qind, ose 0,3 pikë përqindjeje më shumë se projeksionet e mëparshme.
Duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian, Miteva theksoi se vendi në tremujorin e dytë të këtij viti shënoi rritje ekonomike prej 4,3 për qind, norma më e lartë në mesin e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor. Mesatarja rajonale ishte 3,6 për qind.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, ndërtimtaria shënoi rritje reale prej 21,9 për qind, industria përpunuese 4,1 për qind, ndërsa sektori i informacionit dhe komunikimit 4,3 për qind. Konsumi final, ndërkohë, u rrit nominalisht për 7 për qind.
Miteva vlerësoi se këta tregues dëshmojnë për aktivitet të shtuar ekonomik, por theksoi se rezultatet statistikore nuk nënkuptojnë se janë tejkaluar të gjitha sfidat ekonomike.
Ajo shtoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për ruajtjen e rritjes ekonomike, stabilitetin e financave publike dhe zbatimin e reformave që synojnë përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit