Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se detyra e tij si kryeministër nuk është të merret me të kaluarën, por të sigurojë një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja.
Duke folur në shënimin e 23 Tetorit, Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, Mickoski theksoi se vendi duhet të mësojë nga gabimet e së kaluarës dhe të veprojë me mençuri, durim dhe unitet në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Detyra ime si kryeministër nuk është të merrem me eshtrat që i përkasin të kaluarës, por me sigurimin e një të ardhmeje që u përket fëmijëve tanë”, tha Mickoski.
Ai u shpreh se Maqedonia e Veriut po përballet me një rrugë të gjatë drejt BE-së, të shoqëruar me kushte, mosmarrëveshje dypalëshe dhe pengesa, por theksoi se vendi nuk duhet të heqë dorë nga synimi për anëtarësim.
Sipas tij, përballja me sfidat kërkon strategji dhe jo reagime të nxituara.
“Unë nuk garoj në një garë prej 100 metrash, por në një maratonë, dhe në atë maratonë do të fitojmë, si shumë herë deri më tani”, deklaroi kryeministri.
Mickoski gjithashtu theksoi se nuk do të heqë dorë nga politika që ai e cilësoi si prom maqedonase, duke shtuar se asnjë presion nuk mund ta ndryshojë qëndrimin e tij për çështjet kombëtare dhe historike.
Duke folur për marrëdhëniet me Bullgarinë, ai kritikoi përdorimin e vetos si mjet për të ndikuar në çështjet historike dhe përmendi Goce Dellçevin si pjesë të rëndësishme të kujtesës kombëtare maqedonase.
Në fjalimin e tij, kryeministri foli edhe për punën e Qeverisë gjatë 27–28 muajve të fundit, duke përmendur ndërtimin e segmenteve të reja të autostradave, projekte infrastrukturore, investimet në arsim dhe fondet e ndara për komunat.
Në fund, Mickoski tha se suksesi i shtetit duhet të matet me mundësitë që u ofrohen qytetarëve, drejtësinë, standardin e jetesës dhe perspektivën që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend./Ora24.tv








