Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka kritikuar propozimin e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me gjuhën në të cilën do të mbahet provimi i jurisprudencës, duke e cilësuar atë si skandaloz dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Nga BDI-ja thonë se studentët kanë të drejtë ta japin provimin në gjuhën shqipe dhe kundërshtojnë çdo zgjidhje që, sipas tyre, cenon të drejtat ligjore dhe kushtetuese të shqiptarëve.
“Propozimi i ministrit të Drejtësisë është skandaloz. Në vend që të kërkojë zbatimin konsekuent të ligjit dhe respektimin e Kushtetutës, ai u thotë studentëve: ‘Hajde të merremi vesh ta shkelim Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ta shkelim Kushtetutën dhe ta bëjmë provimin pak shqip e pak maqedonisht.’ Ky qëndrim bie ndesh drejtpërdrejt me atë që vetë ministri deklaronte vetëm disa muaj më parë. Por, me t’u ulur në kolltukun e pushtetit, ai nxori nga sirtari propozimin e Karakamishevës dhe sot e mbron atë me fanatizëm, pikërisht para studentëve, të cilëve dje u njihte të drejtën që sot përpiqet t’ua mohojë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që ta dënojnë këtë propozim, duke theksuar se studentët kanë nevojë për zbatimin e ligjit dhe jo për kompromise që, sipas saj, cenojnë të drejtat e tyre.








