Liqeni i Ohrit pasurohet me 6,5 tonë troftë, tejkalohet plani vjetor për 1,6 tonë

Advertisement

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, gjatë vizitës në Institutin Hidrobiologjik në Ohër, njoftoi se me lëshimin e sotëm të 100.000 ekzemplarëve të troftës së Ohrit, përfundoi procesi i ripopullimit të liqenit për vitin 2026.

Gjithsej janë lëshuar 6,5 tonë troftë e re e rritur në kushte të kontrolluara, duke tejkaluar planin vjetor prej 4,9 tonësh për 1,6 tonë.

„Është nënshkruar marrëveshje me Institutin Hidrobiologjik edhe për ciklin e ardhshëm të shumimit artificial dhe ripopullimit të liqenit gjatë vitit të ardhshëm, me gjithsej 1.550.000 trofta të reja”, deklaroi ministri Serafimovski.

Ai sqaroi se në procesin e këtij viti janë përfshirë edhe 100.000 ekzemplarë më të rritur, nga shumimi i vitit të kaluar, me peshë mesatare prej 16 gramësh. Kjo është bërë për të kompensuar mungesën e krijuar gjatë ndërprerjes së shumimit artificial në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2023.

Ministri theksoi gjithashtu se te forma verore e troftës së Ohrit, pas 23 vjetësh nga shumimi i fundit artificial, eksperimentalisht është siguruar pasardhës i ri, i cili po rritet me sukses.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit