“Mrekullitë e Arbërisë”, mbrëmje kushtuar pasurisë së folklorit shqiptar

Advertisement

“Mrekullitë e Arbërisë” sollën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor një spektakël të veçantë, kushtuar folklorit shqiptar, traditave dhe trashëgimisë kulturore kombëtare.

Artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, së bashku me Ansamblin “Gurra e Kurbinit”, përcollën për publikun një mbrëmje të mbushur me ngjyra, ritëm dhe emocione. Shfaqja u prit me duartrokitje të shumta nga salla e mbushur me artdashës, të cilët përmes muzikës, këngës dhe valles u rikthyen te rrënjët e kulturës shqiptare.

Në këtë spektakël u ndërthurën tingujt epikë të lahutës, magjia e polifonisë shqiptare dhe energjia e K’cimit të Tropojës. Një vend të veçantë zuri edhe xhubleta, si simbol i trashëgimisë sonë kulturore, krahas motiveve që sollën në skenë qytetet e gurta dhe traditën e lashtë të transhumancës, lëvizjes sezonale të bagëtive nga një zonë kullotjeje në tjetrën.

Pjesë e mbrëmjes ishin edhe mjeshtrit e folklorit shqiptar, Vendim Kapaj me fyell, Pjetër Matusha me lahutë, si dhe grupi i çiftelive, të cilët kontribuuan në përcjelljen e tingujve dhe traditave muzikore ndër breza.

Përmes kësaj shfaqjeje, “Mrekullitë e Arbërisë” sollën në vëmendje larminë e folklorit shqiptar dhe rëndësinë e ruajtjes e promovimit të tij. Mbrëmja bashkoi muzikën, vallen, veshjet tradicionale dhe kujtesën kulturore, duke e kthyer skenën në një hapësirë ku tradita shqiptare vijon të jetojë dhe të përcillet te brezat e rinj./atsh/KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit