Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski u takua sot me delegacionin e Bordit të drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me qëllim siç theksoi ai, “thellimin e bashkëpunimit për realizimin e investimeve strategjike që i nevojiten qytetit tonë”.
“Përcaktimi im është i fortë. Çdo projekt duhet të zgjidhë një problem real dhe çdo investim duhet të sjellë përfitime konkrete për banorët e Shkupit. Theks të veçantë i kemi vënë Transportit të shpejtë të autobusëve – BRT. Procedura për parakualifikimin e kontraktorëve për Linjën 1 tashmë ka filluar dhe paralelisht vazhdojnë aktivitetet për të siguruar mbështetje nga ekspertët për realizimin e projektit”, thekson Gjorgjievski në postimin në Facebook.
Ai u shpreh se banorët e Shkupit meritojnë transport publik më të shpejtë, më të sigurt dhe me cilësi më të mirë – më pak kohë në komunikacion, qasje më të lehtë në punë dhe shkollë, më pak mbingarkesë dhe ajër më të pastër.
“Diskutuam gjithashtu për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Trubarevë, një investim me rëndësi të madhe për mbrojtjen e ujit, mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve. Është gjithashtu një përgjegjësi ndaj brezave të cilëve do t’ua lëmë këtë qytet”, shkroi Gjorgjievski.
Ai tha se ka konfirmuar angazhimin e tij për bashkëpunimin e mëtejshëm në modernizimin e infrastrukturës, efikasitetin energjetik dhe zbatimin e Planit të veprimit të gjelbër për Shkupin.
“Besimi që kam marrë nga qytetarët është detyrimi im më i madh. Do të vazhdoj t’i çoj projektet përpara dhe të punoj me këmbëngulje deri në realizimin e tyre. Suksesi ynë duhet të ndihet në jetën e përditshme të banorëve të Shkupit! Për një Shkup që ecën përpara. Për një qytet për të cilin do të jemi përsëri krenarë!”, thekson ai në publikimin pas takimit me përfaqësuesit e BERZH-it.








