Me paraqitjen e dëshmive të propozuara nga mbrojtja, sot në sallën e gjyqit në burgun “Idrizovë”, pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup, duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan.
Në seancën e kaluar, Prokuroria i bëri pyetje të kryqëzuara ekspertit Petre Ruseski, i cili ka përgatitur ekspertizën ndërtimore për mbrojtjen. Ai mbeti në qëndrimin se, nga aspekti ndërtimor, objekti nuk kishte pësuar rikonstruksion dhe ridestinim, por bëhej fjalë ekskluzivisht për rregullimin e brendshëm të ambienteve.
Sipas pretendimeve të ekspertit Ruseski, objekti që nga fillimi është projektuar dhe ndërtuar për qëllime afariste, gjë që, sipas Ligjit për Ndërtim, e bën atë të njëjtin lloj objekti edhe pas përshtatjes së tij në diskotekë.
Në fillim të marrjes në pyetje, Prokuroria vuri në pikëpyetje ekspertizën profesionale dhe kredibilitetin e ekspertit Petre Ruseski, duke ngritur çështje lidhur me arsimimin e tij dhe njohuritë për Ligjin për Ndërtim, ku mbrojtja reagoi me kundërshtime, duke kërkuar që pyetjet të përqendroheshin në çështjet thelbësore për të kundërshtuar konstatimet e ekspertizës, me ç’rast paralajmëroi se, nëse konstatimet e ekspertëve të Prokurorisë dhe të mbrojtjes nuk përputhen, do të kërkojë përgatitjen e një superekspertize për fushën konkrete.
Prindërit e fëmijëve që humbën jetën në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan reaguan në një deklaratë për mediat, duke ngritur pyetjen se si është e mundur që mendimi i këtij eksperti të angazhuar nga mbrojtja të përdoret për të kundërshtuar të gjithë ekspertizën, kur ai shprehet vetëm nga aspekti ndërtimor dhe se nga përgjigjet e ekspertit shihet se ai nuk mund t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve që dalin nga ekspertiza e Prokurorisë.
“Ekspertiza e Prokurorisë nuk përfshin vetëm aspektin ndërtimor, por disa fusha të tjera, si urbanizmi, ndërtimtaria, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), mbrojtja kundër zjarrit dhe çështje të tjera që lidhen me rastin. Prandaj, nëse eksperti i mbrojtjes nuk mund të japë mendim profesional për të gjitha këto fusha, atëherë mendimi i tij kufizohet vetëm në atë për të cilën është thirrur dhe për të cilën ka kompetencë profesionale. Ndërsa tani, kur mbrojtja kërkon superekspertizë, mbetet që gjykata të vlerësojë nëse vërtet ekzistojnë kundërthënie thelbësore dhe të pazgjidhshme ndërmjet ekspertizave, apo nëse po kërkohet sërish një ekspertizë e re vetëm sepse ajo ekzistuese nuk i mbështet tezat e mbrojtjes”, deklaroi Aleksandar Naunov.
Gjykimin e udhëheq gjykatësje Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa Prokurorinë e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, e humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e vendit.








