Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, është ndër vendet pararojë në procesin e anëtarësimit, me negociata që synohet të përfundojnë në fund të vitit 2027. BE-ja tashmë ka hyrë në një fazë kritike të debatit se si duhet të përgatitet institucionalisht dhe financiarisht për zgjerimin e saj të radhës. Komunikata e Komisionit Evropian mbi rishikimin e politikave para zgjerimit e publikuar më 6 tetor, diskutimet e Këshillit në mesin e tetorit mbi zgjerimin dhe reformat, paketa e zgjerimit e plotësuar me udhërrëfyes për secilin vend pararojë në fund të tetorit, si dhe negociatat për kuadrin financiar shumëvjeçar 2028-2034 të BE-së, do të përcaktojnë nëse dinamizmi aktual i zgjerimit mund të shndërrohet në një rrugë të besueshme drejt anëtarësimit.
Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE mbetet korniza kryesore për përfundimin e procesit të ndërtimit të institucioneve dhe të transformimit të shtetit. Mbështetja e opinionit publik për anëtarësimin mbetet jashtëzakonisht e lartë dhe objektivi politik është anëtarësimi në BE në vitin 2030.
Pyetja tani është si mund ta përkthejnë BE-ja dhe Shqipëria këtë ritëm në gatishmëri për anëtarësim, dhe si mund BE-ja t’i rrisë përfitimet e progresit të regjistruar dhe ti bëjë më të prekshme përpara anëtarësimit formal.
Vrulli i Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit
Viti 2026 është pa dyshim viti më dinamik për zgjerimin që nga viti 2003. Mali i Zi po përparon drejt fazës përfundimtare të negociatave, ndërsa Shqipëria ka kaluar fazën e hapjes me shpejtësi të paprecedentë dhe ka filluar tashmë mbylljen e kapitujve. Që nga hapja e grupkapitujve të themeloreve në tetor 2024, Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt; në maj 2026 u konfirmuan si të përmbushura piketat e ndërmjetme të grupkapitujve të themeloreve, dhe në korrik 2026 u mbyllën përkohësisht tre kapitujt e parë.








