Nismat për certifikimin e librave të shkruar nga njerëzit, pa përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), po fitojnë mbështetje në industrinë botërore të botimeve. Këto iniciativa synojnë t’u japin lexuesve më shumë transparencë dhe të mbrojnë autorët, në një kohë kur po shtohen dyshimet për përdorimin e IA-së në krijimin e veprave letrare pa u deklaruar kjo gjë.
Disa sisteme certifikimi nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u prezantuan këtë javë në Panairin e Librit në Frankfurt, një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të industrisë së botimit, ku ndikimi i inteligjencës artificiale ishte ndër temat kryesore të diskutimit.
Një nga rastet që ka nxitur debat të madh në botën letrare frankofone është ai i shkrimtarit haitiano-kanadez Thelyson Orelien, i cili është akuzuar se ka përdorur inteligjencën artificiale për të shkruar romanin e tij të parë, “It Was Either That or Die”. Autori i ka mohuar pretendimet, por çështja ka shtuar diskutimet mbi mënyrën se si mund të verifikohet origjina e një vepre letrare.
Charlotte Allibert, bashkëthemeluese e kompanisë franceze Librinova, e cila ofron shërbime për vetëbotimin e librave, e ka cilësuar rastin si një tronditje të madhe për industrinë franceze të botimeve.
Librinova ka krijuar një skemë përmes së cilës autorët mund t’i paraqesin veprat e tyre për verifikim dhe, kundrejt një tarife të vogël, të pajisen me etiketën “krijim njerëzor”. Deri më tani, rreth 200 vepra kanë marrë këtë certifikim. Procesi përfshin përdorimin e programeve për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara nga IA-ja, si dhe një intervistë me një auditor që shqyrton veprën.
Në Britaninë e Madhe, kompania Books By People ka prezantuar certifikimin “letërsi organike”, i cili kërkon që teksti të jetë shkruar nga vetë autori, duke lejuar përdorimin e kufizuar të IA-së për kontrolle drejtshkrimore dhe gramatikore. Synimi është krijimi i standardeve të qarta për autorët, botuesit dhe lexuesit.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, organizata Authors Guild ka krijuar një sistem vetëcertifikimi me etiketën “shkruar nga njeriu”, të cilën e kanë marrë rreth 6.500 tituj.
Debati është intensifikuar edhe pas rasteve të tjera të dyshuara të përdorimit të IA-së. Në fillim të këtij viti, shtëpia botuese Hachette anuloi publikimin në SHBA të romanit horror “Shy Girl”, të autores Mia Ballard, dhe e tërhoqi librin nga shitja në Britaninë e Madhe. Ballard mohoi se e kishte përdorur vetë këtë teknologji, por pranoi se një person i angazhuar për redaktimin e veprës kishte përdorur IA-në.
Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet në mesin e shkrimtarëve, veçanërisht të atyre që i botojnë vetë librat e tyre, të cilët druajnë se mund të përballen me dyshime edhe kur veprat janë shkruar prej tyre. Në këtë kontekst, etiketat e reja synojnë të krijojnë më shumë besim dhe të dallojnë krijimtarinë njerëzore nga përmbajtjet e prodhuara me ndihmën e inteligjencës artificiale./KultPlus.com








