Gjithsej 246 migrantë të paligjshëm janë penguar të hyjnë në Maqedoninë e Veriut nga korriku i vitit 2024 deri më sot. Ndërkohë, ekipet mobile të Doganës dhe njësitë K9 këtë vit kanë marrë pjesë në 41 aksione të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Këto të dhëna i bëri të ditura drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, në takimin e sotëm operativ të Grupit të Përbashkët për Migracion, të organizuar nga Byroja për Siguri Publike.
Sipas Nikollovskit, shumica e migrantëve të penguar vijnë nga Egjipti, Sudani, Pakistani, Irani, Iraku dhe Siria.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shkëmbimi në kohë i informacioneve janë thelbësore për luftimin e migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.
“Veprimet tona nuk kanë të bëjnë vetëm me mbrojtjen e kufijve tanë, por edhe me mbrojtjen e kufijve të vendeve të Bashkimit Evropian, përmes veprimit në kohë dhe të koordinuar”, deklaroi Nikollovski.
Ai vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare është përmirësuar ndjeshëm, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacioneve dhe krijimit të profileve të përbashkëta të rrezikut për identifikimin sa më të hershëm të aktiviteteve kriminale.
Drejtoria e Doganave, sipas tij, do të vazhdojë të forcojë kapacitetet dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Byronë për Siguri Publike, Prokurorinë Publike, si dhe me administratat doganore dhe institucionet e sigurisë në rajon.
Në takim u theksua edhe përparimi i vendit në përballjen me sfidat bashkëkohore të sigurisë, përfshirë trafikimin me njerëz dhe kontrabandimin e migrantëve, çështje që kanë rëndësi edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian./Ora24.tv








