Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se ka mbërritur dërgesa e parë e kontejnerëve të rinj për mbeturina, në kuadër të furnizimit me gjithsej 3.300 kontejnerë.
Sipas Gjorgjievskit, bëhet fjalë për furnizimin më të madh të këtij lloji në historinë e Shkupit, ndërsa shpërndarja e kontejnerëve nëpër qytet ka nisur sot.
Ai bëri të ditur se kontejnerët e rinj do të zëvendësojnë ata të dëmtuar dhe të vjetruar, si dhe do të rrisin kapacitetet për grumbullimin e mbeturinave. Gjithashtu, sipas njoftimit të tij, javën e ardhshme pritet të vihen në funksion edhe kamionët e rinj për grumbullimin e mbeturinave.

Gjorgjievski pretendon se kontejnerët, për të cilët administratat e mëparshme kanë paguar nga 18.600 denarë për copë, administrata aktuale i ka blerë me çmim dy herë më të ulët.
Përveç kontejnerëve të zakonshëm, janë siguruar edhe 60 kontejnerë për grumbullimin e ndarë të qelqit, me qëllim rritjen e riciklimit dhe zvogëlimin e mbeturinave të përziera.
Në postimin e tij, kryetari i Shkupit u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hedhin mbeturina ndërtimore dhe mbeturina të vëllimshme në kontejnerë apo pranë tyre. Ai paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë ndaj sjelljeve të tilla, duke theksuar se për një qytet më të pastër nevojitet edhe përgjegjësi nga qytetarët.
Gjorgjievski theksoi se qëllimi është që pajisjet e reja të kontribuojnë në përmirësimin e pastërtisë në lagjet e Shkupit dhe në krijimin e kushteve më të mira për jetesë.








