Kosova duhet të vazhdojë betejën juridike për dëshmimin e pafajësisë së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa paralelisht të punojë për zbatimin e ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi. Kështu u shpreh Naser Ziberi në emisionin “N’Podium” në Ora24.tv, duke folur për hapat që duhet të ndërmarrë Kosova pas miratimit të ndryshimeve ligjore.
Sipas Ziberit, fokusi duhet të jetë te procedurat në Dhomat e Apelit të Gjykatës Speciale dhe te zbatimi i dispozitave të reja ligjore.
“Së pari do të vazhdojë beteja në dëshmimin e pafajësisë së krerëve të UÇK-së që në Dhomat e Apelit të Gjykatës së Specializuar kjo të arrihet, dhe pastaj në implementimin e dispozitave ligjore, ndryshimit të ligjit”, deklaroi Ziberi.
Ai vlerësoi se, pavarësisht hapave që mund të ndërmerren në vijim, pasojat politike të aktgjykimit të shkallës së parë tashmë janë shkaktuar.
“Dëmi është shkaktuar. Dëmi është bërë. Tani merremi me sanimin e pasojave dhe dëmit që ka shkaktuar vendimi i shkallës së parë”, u shpreh Ziberi.
Sipas tij, aktgjykimi ka ndikuar në mënyrën se si, sipas vlerësimit të tij, faktorët relevantë ndërkombëtarë i shohin ish-krerët e UÇK-së dhe vetë organizatën, ndërsa pretendoi se kjo ndikon edhe në pozicionin politik të Serbisë lidhur me konfliktin.
Megjithatë, Ziberi theksoi se pasojat mund të sanohen, edhe pse dëmi politik, sipas tij, është i madh.
“Po ama më mirë vonë se kurrë. Më vonë se kurrë është. Dhe të mund të sanohen pasojat të cilat ka shkaktuar, por politikisht dëmi është shumë i madh”, përfundoi Ziberi në emisionin “N’Podium” në Ora24.tv.








