Ziberi: Qeveria e kaluar bëri llogaritje të gabuara gjatë Marrëveshjes, Bullgaria nga “dele e zezë” e shndërroi në “dele të bardhë”!

Advertisement

Eksperti dhe ish-Avokati i Popullit, Naser Ziberi, ka vlerësuar se Maqedonia e Veriut ka bërë lëshime gjatë negociimit të marrëveshjeve me Bullgarinë.

I ftuar në emisionin “N’Podium” në Ora24.tv, Ziberi tha se Bullgaria, nga një shtet që shihej si pengues i procesit evropian të Maqedonisë së Veriut, sot është pozicionuar më favorshëm, ndërsa përgjegjësinë për këtë e sheh edhe te gabimet e bëra nga qeveria ish-qeveria e LSDM-BDI.

“Pa dyshim që ka pas lëshime. Mendoj se lëshimet janë bërë gjatë procesit negociues edhe për kornizën, edhe për Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë”, tha Ziberi.

Sipas tij, një nga gabimet kryesore ka qenë marrja e obligimeve ndërkombëtare pa u siguruar paraprakisht nëse ato mund të zbatoheshin brenda institucioneve të vendit.

Ziberi theksoi veçanërisht çështjen e ndryshimeve kushtetuese, duke argumentuar se qeveria e atëhershme duhej të llogariste nëse kishte mbështetjen e nevojshme prej dy të tretave të deputetëve.

“Kur nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare, duhet të llogarisësh se ajo marrëveshje a mund të kalojë në institucionet, në Kuvend dhe në Qeveri”, u shpreh ai.

Ai vlerësoi se qeveria e kaluar nuk kishte siguruar paraprakisht mbështetjen e nevojshme politike për ndryshimet kushtetuese.

“Në start janë bërë llogaritje të gabuara. Një qeveri që kishte 61, 62, 63 vota, për një obligim që kërkon 80 vota, duhet ta kishte parasysh këtë”, tha Ziberi.

Ziberi kritikoi edhe mungesën e dialogut mes pushtetit dhe opozitës gjatë procesit të negociimit, duke thënë se për çështje kaq të rëndësishme duhej të ndërtohej konsensus politik.

“Pse kur negociohej nuk u ul pushteti me opozitën, duke e ditur se i duhen votat e opozitës, që të diskutohen këto çështje dhe të thuhej: këto janë pozicionet tona, hajde të shohim a janë zgjidhjet më të mira apo duhet ndryshuar diçka?”, deklaroi ai.

Sipas Ziberit, një qasje e tillë do të mundësonte edhe ndarjen e përgjegjësisë politike, në rast se nuk do të arrihej marrëveshje.

Duke folur për pozicionin e Bullgarisë, Ziberi tha se Sofja sot ka një pozitë shumë më të favorshme, pasi si anëtare e Bashkimit Evropian ka të drejtën e vetos.

“Bullgaria nga një ‘dele e zezë’ u shndërrua në një ‘dele të bardhë’ në përpjekjet e Maqedonisë për anëtarësim”, tha Ziberi.

Ai shtoi se Bullgaria, në bazë të pozitës së saj brenda BE-së, nuk ka arsye të ndryshojë lehtë qëndrimet e saj.

Në fund, Ziberi paralajmëroi se mungesa e një zgjidhjeje dhe qëndrimi në status quo është e dëmshme për vendin dhe qytetarët.

“Mbetemi në status quo në këtë gjendje që padyshim që është e dëmshme për të gjithë qytetarët, pa dallim komuniteti”, përfundoi Ziberi./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit