Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka bërë të ditur se në muajin shtator nuk është regjistruar rritje mujore e inflacionit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se politikat e Qeverisë synojnë ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve.
“Shtatorin e përfunduam me 0% inflacion mujor, pa rritje të kostos së jetesës krahasuar me gushtin”, ka theksuar Durmishi.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, inflacioni mujor ishte 0,1% në korrik, 0,4% në gusht, ndërsa në shtator 0,0%. Në nivel vjetor, inflacioni në shtator është regjistruar në 2,7%, krahasuar me 2,6% në gusht dhe 2,3% në korrik.
Duke iu referuar pasigurive të shkaktuara nga krizat globale, ministri Durmishi tha se institucionet kanë detyrim të veprojnë në kohë për të zvogëluar ndikimin e rritjes së kostove mbi familjet.
“Krizat globale sjellin pasiguri, por detyrimi ynë është i qartë – të mbrojmë standardin e jetesës së qytetarëve. Me vendime dhe masa në kohë për karburantet, punojmë për të zbutur presionin mbi buxhetet familjare”, deklaroi Durmishi.
Të dhënat e prezantuara nga Ministria tregojnë gjithashtu se në shtator janë shënuar ulje të çmimeve prej 3,7% në grupin rekreacion, sport dhe kulturë, si dhe 3,4% në transport. Nga ana tjetër, ushqimi dhe pijet joalkoolike kanë shënuar rritje prej 0,5%, ndërsa pajisjet dhe mirëmbajtja e shtëpisë prej 1,3%.
Durmishi theksoi se Ministria do të vazhdojë me politika që synojnë stabilitetin e çmimeve dhe siguri më të madhe ekonomike për familjet.
“Vazhdojmë me politika të përgjegjshme për çmime të qëndrueshme dhe më shumë siguri për çdo familje”, përfundoi ministri Besar Durmishi.






