Rreth 1.000 raste të reja të kancerit në gji regjistrohen në vit në vend, ndërsa në këtë moment rreth 7.000 paciente mjekohen ose janë mjekuar, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski në “Piknik mëngjesin rozë” në Parkun pranë “Guacës”, të organizuar nga HEMA-ONKO. Ngjarjen e ka mbështetur edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, si dhe një numër i madh grash që morën pjesë për të dëgjuar mesazhet rreth rëndësisë së parandalimit, zbulimit të hershëm dhe diskutimit të hapur rreth kancerit të gjirit.
Ministri i Shëndetësisë, Klekovski theksoi se rritja e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit mbetet një nga prioritetet, duke theksuar se për trajtim të suksesshëm nevojitet zbulimi i sëmundjes në kohë. Një nga problemet kryesore tani, siç theksoi ai, është programi i skriningut të kancerit të gjirit, i cili sipas raportit të Entit shtetëror për revizion është i pasuksesshëm.
“Duhet tërësisht ta ripërcaktojmë konceptin dhe shpresoj shumë shpejt së bashku me HEMA-ONKO-n do të promovojmë koncept të ri për programin e skriningut”, tha Klekovski.
Duke u përqëndruar në trajtimin e pacientëve, ministri informoi se dy ilaçe për kancerin e gjirit janë transferuar në listën pozitive, me çka pacientët që janë në terapi kronike mund t’i marrin ilaçet e tyre në farmaci, në vend që të vijnë në Klinikën e onkologjisë. Sipas tij, furnizimi me ilaçe aktualisht është stabil, por Ministria e Shëndetësisë analizon masa shtesë për të tejkaluar ndërprerjet në dërgesën e terapisë.
Ai përkujtoi edhe se që nga viti i kaluar është siguruar mbështetje shtesë financiare për Klinikën e kirurgjisë torakale dhe Klinikën e kirurgjisë plastike, në mënyrë që intervenimet rikonstrktive të kryhen menjëherë pas trajtimit kirurgjikal.
“Për ne, kjo nuk është vetëm çështje estetike, por çështje e shëndetit psikofizik dhe cilësisë së jetës së grave që janë përballur me këtë sëmundje”, theksoi Klekovski.
Ministri shprehu bindje se në periudhën e ardhshme, një fokus edhe më i madh do të vendoset në parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e kancerit të gjirit, i cili mbetet një nga sëmundjet më të shpeshta malinje tek gratë






