Një pjesë e rrugëve dhe bulevardeve në Shkup nesër prej orës 6:00 deri ora 14:00 do të mbyllen për komunikacion, ndërsa automjetet do të riorientohen nëpër rrugë alternative, për shkak të mbajtjes së Maratonës së 22-të” Wizz Air” të Shkupit.
Siç kumton organizatori, trafiku nëpër rrugët dhe bulevardet e përfshira me itinerarin e maratonës do të riorientohet në rrugë alternative.
I mbyllur për komunikacion do të jetë segmenti nga Rekordi, respektivisht rrugët “Maqedonia” dhe “Dimitrije Çupovski”, duke vazhduar përgjatë bulevardit “Mitropoliti Teodosij Gologanov” dhe rrugës “Vasil Çakalarov” deri në Hrom.
Të mbyllura do të jenë edhe pjesë të rrugës “11 Tetori”, respektivisht segmenti nga Kuvendi deri te Kryqi i Kuq, si dhe pjesë të bulevardeve “Republika e Krushevës” dhe “Brigada e Tretë Maqedonase”, deri te pjesa afër Kolegjit amerikan.
Në Aerodrom, me regjimin e posaçëm të trafikut do të përfshihen segmentet drejt Pishinës ushtarake, klinikës “Majçin Dom” dhe bulevardit “Jane Sandanski”, deri te udhëkryqi me bulevardin “Serbia”.
Në rrugët e përmendura shoferët do të duhet të përdorin akse alternative, ndërsa riorientimi konkret do të bëhet varësisht nga lëvizja e vrapuesve.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme u bëjnë thirrje shoferëve të shmangin lëvizjen përgjatë rrugëve midis orës 6:00 dhe 14:00 dhe të respektojnë urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarëve të uniformuar policorë në terren.
Organizatorët kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për shkak të regjimit të përkohshëm të trafikut dhe u bëjnë thirrje atyre që me kohë të planifikojnë lëvizjen e tyre të dielën, duke zgjedhur rrugë alternative të trafikut aty ku nevojitet.






