Shqipëri–BE, nis koordinimi për implementimin e sistemeve digjitale doganore

Advertisement

Një delegacion i Administratës Doganore Shqiptare, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Besmir Beja, zhvilloi në Bruksel takimin e parë koordinues me Drejtorinë e Përgjithshme për Tatimet dhe Bashkimin Doganor të Komisionit Europian (DG TAXUD).

Në fokus të takimit ishte zbatimi i sistemeve digjitale doganore të Bashkimit Europian dhe përshtatja e sistemeve shqiptare me infrastrukturën digjitale europiane.

Gjatë takimeve u diskutua për reformat e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 29, “Bashkimi Doganor”, për përmbylljen e Kodit të ri Doganor dhe për zhvillimin e 22 sistemeve dhe moduleve të reja të teknologjisë së informacionit, në bashkëpunim me UNCTAD-in.

Përfaqësuesit shqiptarë prezantuan gjithashtu ecurinë e punës për sistemet ASYCUDA 5, TARIC, National Single Window, ASYHUB dhe NCTS, me fokus te ndërveprueshmëria e tyre me sistemet doganore të BE-së.

Palët ranë dakord për takime periodike të ekipeve teknike dhe takime tremujore për të vlerësuar progresin. Takimi i ardhshëm koordinues pritet të zhvillohet pas tre muajsh në Tiranë.

Paralelisht, Shqipëria po vijon procedurat ligjore për aderimin në Konventën për një Procedurë të Përbashkët Tranziti.

Takimi në Bruksel u cilësua si një hap në forcimin e bashkëpunimit teknik mes Shqipërisë dhe BE-së dhe në përmbushjen e angazhimeve për Kapitullin 29.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit