Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në përputhje me nenin 14 të Statutit të OEMVP-së, organizoi Kuvendin e VI-të Zgjedhor, me ç’rast u zhvillua procedura statutore për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Odës për mandatin e ardhshëm.
Në Kuvendin zgjedhor morën pjesë anëtarët e rinj të Kuvendit të OEMVP-së, të Këshillit Drejtues dhe të Këshillit Mbikëqyrës, ndërsa të pranishëm ishin edhe Kryetari i Nderit z. Xhemail Dauti, Drejtori ekzekutiv i OEMVP, z. Durim Zekiri dhe ish Kryetari i FEMSH, z. Nagib Fejzi.
Në kuadër të këtij procesi zgjedhor, Kuvendi zgjodhi Kryetarin e ri të Këshillit drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Sami Morina,i cili do të udhëheqë institucionin gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.
U zgjodh edhe Kryetari i Kuvendit, z. Salim Hasani, nënkryetari i Kuvendit z. Neim Fejzi, anëtarët e Këshillit drejtues dhe Këshillit Mbikëqyrës, duke kompletuar kështu strukturën e re drejtuese të OEMVP.
Pas zgjedhjes, Kryetari z. Sami Morina theksoi se drejtimi i Odës në mandatin e ri do të fokusohet në forcimin e rolit të saj si përfaqësuese e zërit të komunitetit të biznesit dhe në krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e sektorit privat.
Me konstituimin e organeve të reja drejtuese, Oda do të vazhdojë aktivitetet e saj në funksion të përfaqësimit të interesave të anëtarëve, nxitjes së bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve, si dhe promovimit të një mjedisi të qëndrueshëm dhe konkurrues për zhvillimin e biznesit.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore shpreh mirënjohjen për kontributin e të gjithë anëtarëve dhe përfaqësuesve të saj gjatë procesit të deritanishëm dhe u uron suksese organeve të sapozgjedhura në përmbushjen e përgjegjësive të tyre në mandatin e ri.






