Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Maqedoninë e Veriut janë rritur për 46 për qind në pesë vitet e fundit, ndërsa paga minimale është rritur për 74 për qind. Këto të dhëna tregojnë se fuqia blerëse e pagës minimale, në raport me ushqimet, është rritur për rreth 19 për qind.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, ushqimet në gusht të vitit 2026 ishin 46 për qind më të shtrenjta krahasuar me gushtin e vitit 2021. Ndërkohë, paga minimale në të njëjtën periudhë shënoi rritje prej 74 për qind.
Rritje është regjistruar edhe te paga mesatare bruto. Në korrik të vitit 2026 ajo arriti në 72.935 denarë, krahasuar me 42.776 denarë në të njëjtin muaj të vitit 2021, që paraqet rritje nominale prej rreth 71 për qind.
Ushqimet në BE janë shtrenjtuar për 34 për qind
Sipas të dhënave të Eurostat-it, të analizuara nga “Euronews Business”, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Bashkimin Evropian janë rritur mesatarisht për 34 për qind nga gushti i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2026.
Rritja në Maqedoninë e Veriut është 12 pikë përqindjeje më e lartë se mesatarja e BE-së.
Në mesin e vendeve të BE-së, shtrenjtimi më i madh është regjistruar në Hungari me 57 për qind, Bullgari me 54 për qind dhe Rumani me 53 për qind. Ndërsa rritja më e ulët është shënuar në Qipro, me 21 për qind.
Sa u përket ekonomive më të mëdha të BE-së, çmimet e ushqimeve janë rritur për 25 për qind në Francë, 30 për qind në Itali, 34 për qind në Gjermani dhe 35 për qind në Spanjë.
Rritja më e madhe në krahasimin e vendeve evropiane është regjistruar në Turqi, ku ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 752 për qind.
Paga minimale dhe fuqia blerëse
Analiza e “Euronews” tregon se në shumicën e 26 vendeve të përfshira në krahasim, paga minimale është rritur më shpejt se çmimet e ushqimeve.
Në rajon, paga minimale në Serbi është rritur për 103 për qind, ndërsa në Mal të Zi për 102 për qind.
Megjithatë, rritja nominale e pagave nuk pasqyron e vetme ndryshimin real të fuqisë blerëse. Për këtë, rëndësi ka edhe sasia e produkteve që mund të blihen me një pagë.
Sipas këtij treguesi, Serbia dhe Mali i Zi kanë regjistruar rritjen më të madhe të fuqisë blerëse në raport me ushqimet, me nga 37 për qind.
Në Maqedoninë e Veriut, fuqia blerëse e pagës minimale për ushqime është rritur për 19 për qind. Në krahasim, kjo rritje është 10 për qind në Irlandë, nëntë për qind në Gjermani, shtatë për qind në Greqi, gjashtë për qind në Belgjikë dhe Holandë, si dhe tre për qind në Portugali.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht shtrenjtimit të ndjeshëm të ushqimeve, paga minimale është rritur më shumë në terma nominalë, ndërsa fuqia e saj blerëse në raport me ushqimet ka shënuar rritje gjatë pesë viteve të fundit.






