Mucunski kërkon zyrtarisht takim me Petrova-Çamovën javën e ardhshme në Sofje

Advertisement

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme ka konfirmuar se është kërkuar zyrtarisht takim mes ministrit Timço Mucunski dhe homologes së tij bullgare, Velislava Petrova-Çamova. Takimi pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Sofje, në kuadër të aktiviteteve për Korridorin 8.

Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se kërkesa për takim është bërë pas bisedës me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Sipas tij, takimi bilateral mes dy ministrave do të ishte një hap për të rifilluar dialogun mes Shkupit dhe Sofjes.

Mickoski tha se Mucunski është udhëzuar të dërgojë notë diplomatike në Sofje dhe të kërkojë takim me homologen bullgare gjatë qëndrimit në kuadër të Korridorit 8.

Në konferencën e përbashkët me von der Leyen, Mickoski tha se me të kanë diskutuar edhe për marrëdhëniet me Bullgarinë dhe për mundësinë e përfshirjes së Bashkimit Evropian në këtë proces.

Nga ana e saj, von der Leyen e ka cilësuar një takim të mundshëm mes Mucunski dhe Petrova si një hap fillestar për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Forumet për Korridorin 8 në Sofje janë planifikuar për 7 dhe 8 tetor, ku pritet të marrë pjesë edhe ministri Mucunski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit