Mickoski para Von der Leyen: Maqedonia i përmbush detyrimet – është koha që Evropa të sigurojë një proces të drejtë pa kushte të reja

Advertisement

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se vendi mbetet i përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kërkoi që procesi i integrimit të zhvillohet mbi rregulla të qarta dhe pa kushte të reja dypalëshe.

Mickoski tha se vendi po i përmbush detyrimet dhe po zbaton reformat e kërkuara për një shtet që synon anëtarësimin në BE.

“Duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe punojmë me përkushtim për këtë qëllim. Në të njëjtën kohë, besojmë se ka ardhur koha që ky proces të marrë mbështetje më të fuqishme politike nga institucionet evropiane”, tha Mickoski.

Ai theksoi se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut nuk ka qenë dhe nuk do të jetë i diskutueshëm, por kërkoi që procesi të jetë “i drejtë dhe i bazuar në rregulla të qarta”.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së Mickoskit iu kushtua marrëdhënieve me Bullgarinë.

Sipas tij, çështjet me fqinjin lindor duhet të zgjidhen përmes dialogut, vullnetit të mirë dhe respektit të ndërsjellë. Ai kërkoi gjithashtu përfshirjen e Bashkimit Evropian në këtë proces, jo për të marrë anën e ndonjërit, por për të krijuar kushte për një zgjidhje të qëndrueshme evropiane.

“Ne nuk kërkojmë që Bashkimi Evropian të mbajë anë. Kërkojmë të ndihmojë në krijimin e kushteve për një zgjidhje të qëndrueshme evropiane, në të cilën ajo që është dakorduar do të jetë e qartë, detyrimet do të vlejnë për të gjithë dhe procesi i anëtarësimit nuk do të hapet përsëri për kushte të reja dypalëshe”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se çdo zgjidhje duhet të garantojë që me përmbushjen e saj mbyllet një fazë dhe hapet rruga drejt fazës së ardhshme, pa hapësirë për interpretime apo kërkesa shtesë.

Mickoski foli edhe për reformat e brendshme, duke përmendur sundimin e ligjit, administratën publike, përmirësimin e klimës së biznesit, digjitalizimin dhe reformat në arsim.

Sipas tij, agjenda reformuese në kuadër të Planit të Rritjes tashmë po jep rezultate konkrete, ndërsa Komisioni Evropian këtë vit ka vlerësuar pozitivisht reformat e zbatuara, duke mundësuar vazhdimin e përdorimit të mjeteve nga Plani i Rritjes.

Kryeministri theksoi se integrimi evropian duhet të jetë i prekshëm për qytetarët edhe para anëtarësimit formal, përmes qasjes më të madhe në tregun e përbashkët evropian, mundësive të reja ekonomike, investimeve, infrastrukturës dhe mundësive më të mëdha për të rinjtë.

Ai përmendi edhe Korridorin VIII si shembull të një projekti ku integrimi evropian, sipas tij, shndërrohet nga objektiv politik në infrastrukturë, tregti dhe lidhje më të madhe mes njerëzve.

Në fund, Mickoski tha se qëllimi i Maqedonisë së Veriut është që procesi drejt BE-së të ecë përpara dhe qytetarët të kenë arsye të besojnë sërish fuqishëm në perspektivën evropiane.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit