Inteligjenca artificiale nuk është më teknologji e së ardhmes, por e së tanishmes dhe pyetja e vërtetë sot është se çfarë vendi do të kemi ne në atë ndryshim, thotë kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski.
Mickoski, i cili sot foli në “Startup Revolution AI Summit” në Shkup, porositi se Maqedonia nuk duhet të jetë vëzhguese e revolucionit të ri teknologjik, por pjesëmarrëse e saj aktive.
“Inteligjenca artificiale nuk është më teknologji e së ardhmes për të cilën flasim dhe përpiqemi të parashikojmë se si do të ndikojë një ditë në jetën tonë. Është teknologji e së tashmes, e cila tashmë po ndryshon mënyrën se si punojmë, mësojmë, komunikojmë, prodhojmë, shërojmë, hulumtojmë dhe krijojmë kompani. Prandaj, pyetja nuk është më nëse inteligjenca artificiale do t’i ndryshojë ekonomitë dhe shoqëritë tona. Ajo tashmë po ndodh. Pyetja e vërtetë është se çfarë vendi do të kemi në atë ndryshim”, tha Mickoski në fjalimin e tij.
Sipërmarrësit dhe pronarët e kompanive i porositi të mos lejojnë që madhësia e tregut vendor ta përcaktojë sasinë e ambicies së tyre.
“Maqedonia nuk duhet të jetë vëzhguese e revolucionit të ri teknologjik. Ajo duhet të jetë pjesëmarrëse aktive e tij. Në ekonominë e dijes, gjeografia bëhet më pak e rëndësishme, dhe talenti, arsimi, shpejtësia, kreativiteti dhe aftësia për ta shndërruar një ide të mirë në një produkt bëhen më të rëndësishme sesa madhësia e territorit ose numri i banorëve. Ambicia jonë duhet të jetë që idetë, produktet dhe kompanitë e krijuara në Maqedoni të rriten dhe të konkurrojnë në tregjet evropiane dhe globale”, theksoi Mickoski.
Ndërtojeni Maqedoninë, por mendoni globalisht dhe asnjëherë mos lejoni që frika nga mossuksesi të jetë më e fuqishme nga dëshira që të krijoni diçka të re, porositi kryeministri.






