Federata Shqiptare e Alpinizmit reagon për heqjen e shqiponjës dykrenare nga Korabi

Advertisement

Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor ka reaguar pas heqjes së shqiponjës dykrenare, e cila sipas federatës ishte vendosur nga një ekip alpinistësh shqiptarë në majën e Korabit.

Federata e cilëson shqiponjën dykrenare si simbol të historisë, identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve, duke vlerësuar se heqja e saj cenon respektin e ndërsjellë dhe frymën e solidaritetit në sport.

Në reagim thuhet se, sipas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, të raportuar nga mediat vendase, simboli ishte vendosur në anën tjetër të majës së Korabit, jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut.

Federata u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të verifikojnë ngjarjen, të identifikojnë personat përgjegjës dhe të ndërmarrin hapat përkatës për kthimin e simbolit, në përputhje me ligjin dhe kompetencat territoriale.

“Sportet bashkojnë kombet dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi, jo përçarjeje”, thuhet në reagim.

Njëkohësisht, Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor u ka bërë thirrje organizatave të alpinizmit në Maqedoninë e Veriut që të distancohen nga veprime të tilla dhe të kontribuojnë në sqarimin e rastit.

“Malet na bashkojnë. Respekti i ndërsjellë duhet të na udhëheqë!”, përfundon reagimi i federatës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit