Prokuroria Themelore Publike e Manastirit ka ngritur aktakuzë ndaj pesë mjekëve internistë nga Spitali Klinik i Manastirit “Dr. Trifun Panovski”, të cilët akuzohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve”.
Sipas Prokurorisë, mjekët gjatë periudhës 28 maj – 4 qershor 2024, në Repartin e Sëmundjeve Interne, kanë trajtuar në mënyrë të pakujdesshme një paciente 40-vjeçare, duke shkaktuar përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, e cila më pas rezultoi me vdekje.
Pacientja fillimisht ishte paraqitur në spital pas një kontrolli dhe rekomandimi nga mjeku i saj amë, i cili kishte dyshuar për tromboflebit. Megjithatë, sipas Prokurorisë, pas kontrollit fillestar nuk ishte marrë anamnezë e plotë dhe nuk ishin kryer analiza të detajuara. Asaj i ishte vendosur diagnoza e artritit reumatoid dhe i ishte dhënë terapi, pas së cilës ishte lëshuar në shtëpi.
Prokuroria pretendon se në këtë mënyrë nuk ishte përcaktuar në kohë gjendja e saj e vërtetë shëndetësore, përkatësisht nuk ishte zbuluar tromboza dhe nuk ishte ndërmarrë trajtimi i duhur.
Më 1 qershor 2024, pacientja u paraqit sërish në spital me dhimbje të forta barku dhe gjendje të përkeqësuar. Edhe pse u shtrua për trajtim, sipas Prokurorisë, gjatë katër ditëve në vijim, pavarësisht rezultateve jonormale të analizave laboratorike dhe biokimike, nuk u ndërmorën ekzaminime të mëtejshme diagnostikuese për përcaktimin e shkakut dhe trajtimin e duhur.
Më 4 qershor, pacientja kërkoi ndihmë në një klinikë private në Shkup, ku u pranua në gjendje të rëndë. Gjatë ndërhyrjes urgjente kirurgjikale u konstatua trombozë e arterieve mezenterike, e shoqëruar me gangrenë të zorrës së hollë dhe të trashë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjendja ishte tashmë e paoperueshme dhe pacientja ndërroi jetë më 5 qershor 2024.
Akuzat ndaj mjekëve janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë dhe do të vlerësohen nga gjykata gjatë procedurës gjyqësore.






