Fëmijët e Komunës së Tearcës kanë nisur sot për herë të parë të frekuentojnë çerdhen “Foleja” në Përshefcë, duke shënuar fillimin e funksionimit të këtij institucioni.
Me rastin e ditës së parë, kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka vizituar çerdhen, ku është takuar me fëmijët dhe ka parë nga afër mbarëvajtjen e ditës së parë të punës.
Përmes një publikimi, Memishi ka theksuar se buzëqeshja dhe gëzimi i fëmijëve janë motivim për të vazhduar punën, ndërsa çerdhen “Foleja” e ka cilësuar si një investim për të ardhmen e Tearcës.
“Uroj që kjo të jetë vetëm fillimi i shumë ditëve të bukura, miqësive të reja dhe kujtimeve të paharrueshme për vogëlushët tanë”, ka shkruar Memishi.
Ai ka njoftuar gjithashtu se së shpejti do të mbahet hapja solemne dhe zyrtare e çerdhes “Foleja” në Përshefcë.






