Reperi Don Xhoni ka reaguar pas debatit të krijuar në Maqedoninë e Veriut për xhirimin e videoklipit të tij në kompleksin memorial “Makedonium” në Krushevë.
Përmes një postimi në Instagram, reperi është shprehur se e ka ndjekur reagimin e publikut dhe ka theksuar se nuk ka pasur qëllim të provokojë, të ofendojë apo të ulë vlerën e ndonjë vendi apo simboli.
“Po e shoh që ‘Sexy Mama’ ka bërë debat të madh në Maqedoninë e Veriut”, shkruan Don Xhoni në reagimin e tij.
Ai ka sqaruar se lokacioni është zgjedhur si pjesë e skenarit dhe është përcaktuar nga produksioni, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë mesazh të fshehtë apo tendencë për të provokuar.
“Kur edhe një lokacion në videoklip mjafton me u bo lajm e debat, kjo veç tregon sa larg ka shku emri edhe muzika jem”, ka shkruar reperi.
Don Xhoni ka theksuar se përmes muzikës, artit dhe videoklipeve synon të krijojë projekte artistike, ndërsa ka shtuar se nuk dëshiron të përfshihet në debate apo provokime.
Reagimi i tij vjen pasi xhirimet e videoklipit në “Makedonium”, monument kushtuar kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës, shkaktuan reagime publike. Pas këtyre polemikave, kryeministri Hristijan Mickoski ka kërkuar shkarkimin e drejtorit dhe Bordit Drejtues të institucionit përgjegjës./Ora24.tv






