Shasivari: Kodi Zgjedhor nuk është pronë e asnjë partie, dialogu është përgjegjësi institucionale

Advertisement

 

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, pas takimit me anëtarët e Grupit të Punës për Reformën në Legjislacionin Zgjedhor, deklaroi se synimi është zhbllokimi i procesit dhe rikthimi i tij në një dinamikë aktive institucionale.

Shasivari tha se Ministria e Drejtësisë ka nisur një dialog të hapur dhe konstruktiv me partitë politike, duke theksuar se reforma zgjedhore kërkon përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim.

“Kodi Zgjedhor nuk është pronë e asnjë partie politike, as e qeverisë dhe as e opozitës. Ai është ligji që përcakton rregullat demokratike sipas të cilave qytetarët e ushtrojnë vullnetin e tyre”, tha Shasivari.

Ai theksoi se mund të ketë dallime politike, por ato nuk duhet të bëhen pengesë për avancimin e sistemit zgjedhor.

Sipas Shasivarit, qëllimi është krijimi i një legjislacioni zgjedhor të qëndrueshëm, të parashikueshëm, transparent dhe të harmonizuar me standardet evropiane dhe rekomandimet përkatëse të OSBE/ODIHR-it.

“Reforma zgjedhore i tejkalon interesat e politikës ditore. Ajo prek çdo qytetar, sepse rregullat zgjedhore janë themeli i besimit në procesin demokratik dhe në institucionet”, deklaroi ministri.

Shasivari tha se procesi do të vijojë me Kuvendin, partitë politike, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet relevante.

“Nuk pres që të gjithë të pajtohemi për gjithçka, por pres që të bisedojmë”, tha ai, duke shtuar se integrimi evropian kërkon reforma, institucione të qëndrueshme, sundim të ligjit dhe rregulla të barabarta për të gjithë.

“Rregullat zgjedhore janë për qytetarët, standardet evropiane janë obligimi ynë, ndërsa dialogu është përgjegjësia jonë institucionale”, përfundoi Shasivari.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit