Djegia e makinerive që po punonin për ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës ka nxitur reagimin e ashpër të kryetarit të Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri. Përmes një deklaratë publike, ai e ka cilësuar këtë akt si një goditje direkte ndaj sportit, rinisë dhe zhvillimit të kësaj komune, duke u bërë thirrje organeve të rendit që ta zbardhin rastin sa më parë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Pavarësisht këtij incidenti, Beqiri ka dërguar një mesazh të prerë se punimet nuk do të ndalen:
“NUK NA NDAL ASKUSH. Punimet do të vazhdojnë. Projekti do të përfundojë. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet. Haraçina ka pritur 50 vite për këtë ditë. Nuk do të kthehemi prapa.”
Ai ka shtuar se aktet e tilla nuk mund ta mposhtin vullnetin për të ndërtuar dhe se nuk i frikësohet presionit apo kërcënimeve:
“Sot mund të digjen makineri, por nuk digjet vullneti për të ndërtuar. Nuk më frikësoni. Nuk ndalem përballë presionit, kërcënimeve apo pengesave. Unë do ta çoj këtë projekt deri në fund, derisa fëmijët e Haraçinës të shkelin në fushën e stadiumit të tyre.”
Kryetari përmbylli reagimin e tij me mesazhin e qartë: “STADIUMI I SHKËNDIJËS DO TË NDËRTOHET!”







