Berisha në Strasburg për Kosovën: “Drejtuesit e luftës u dënuan me 84 vite, Apeli t’i shqyrtojë objektivisht”

Advertisement

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, foli për zhvillimet politike në Kosovë, proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë dhe qëndrimin e Serbisë ndaj luftërave në Kosovë dhe Bosnje.

Berisha deklaroi se zgjedhjet e përsëritura në Kosovë janë zhvilluar në përputhje me parimet ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare. Ai tha se përsëritja e zgjedhjeve për shkak të mënyrës së zgjedhjes së Presidentit duhet të shmanget dhe kërkoi asistencën e Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias për gjetjen e një zgjidhjeje.

Një pjesë të fjalimit ia kushtoi vendimeve gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Berisha tha se protestat në Prishtinë pas këtyre vendimeve lidhen me pakënaqësinë ndaj mënyrës së trajtimit të rasteve dhe me atë që ai e cilësoi si mungesë të provave të qarta për krime konkrete.

Ai përmendi edhe rastet e ish-zyrtarëve ushtarakë serbë Vladimir Lazareviç dhe Dragoljub Ojdaniç, të dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke i krahasuar këto raste me dënimet e ish-drejtuesve politikë të Kosovës.

Berisha pretendoi se proceset në Hagë kanë prekur vetëm palën shqiptare të konfliktit dhe shprehu shpresën që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë rastet në mënyrë objektive.

Në fjalimin e tij, ai kritikoi edhe qëndrimin e Beogradit ndaj figurave të lidhura me luftën në Bosnje, duke përmendur rastin e Ratko Mlladiç dhe duke e lidhur këtë çështje me politikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Në fund, Berisha kërkoi që Këshilli i Europës të ndërmarrë hapa lidhur me, siç tha ai, rreziqet që burojnë nga këto zhvillime.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit