Në Kuvend përfundoi konferenca rajonale dyditore kushtuar femicidit në Evropën Juglindore, ku u diskutua për mënyrat e përmirësimit të parandalimit, identifikimit dhe hetimit të rasteve të vrasjeve të grave të lidhura me gjininë.
Gjatë ditës së dytë, vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të organizatave të shoqërisë civile, funksionimit të trupave multisektorialë dhe nevojës për forcimin e mbikëqyrjes institucionale.
Një nga panelet trajtoi standardet për identifikimin dhe hetimin e vrasjeve të lidhura me gjininë. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e njohjes së motivit gjinor që në fazat e para të hetimit, dokumentimit të plotë të rasteve dhe zbatimit të procedurave të qarta e të harmonizuara.
Paneli i dytë u përqendrua te mbledhja e të dhënave për femicidin. Ekspertët nënvizuan se të dhënat cilësore dhe të sistematizuara janë të rëndësishme për kuptimin e dukurisë, hartimin e politikave dhe përmirësimin e reagimit institucional. U kërkua gjithashtu harmonizimi i metodologjive në vendet e rajonit, në mënyrë që të dhënat të jenë të krahasueshme.
Në përmbyllje u prezantuan rekomandimet dhe hapat e ardhshëm. Ndër çështjet kryesore u veçuan trajnimi i prokurorëve dhe aktorëve të tjerë institucionalë, përmirësimi i vlerësimit të rrezikut dhe forcimi i mbështetjes për fëmijët e prekur nga rastet e femicidit.
Pjesëmarrësit theksuan edhe nevojën për analiza më të thelluara të rasteve, pasi mbështetja vetëm në raportimet mediatike nuk ofron gjithmonë një pasqyrë të plotë. Për këtë arsye, u kërkua bashkëpunim më i madh ndërmjet institucioneve dhe përdorim më i mirë i të dhënave.
Në mbyllje të konferencës, zëvendës-shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Suzan Penksa, veçoi katër fusha për veprim të mëtejshëm: identifikimin në kohë të motivit gjinor dhe mangësive në sistem, zbatimin efektiv të legjislacionit, përmirësimin e të dhënave dhe përdorimin e tyre për identifikimin e problemeve, si dhe forcimin e përgjigjes institucionale.
Konferenca mblodhi ekspertë dhe përfaqësues nga vende të ndryshme të Evropës Juglindore, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave për forcimin e mekanizmave institucionalë në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.






