Shërbimet inspektuese kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm një aksion të jashtëzakonshëm përgjatë bulevardit “Krste Petkov Misirkov” në Shkup, nga QT “Mavrovka” deri te Bit Pazari.
Gjatë kontrollit janë larguar të gjitha tezgat e vendosura ilegalisht në shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta, ndërsa janë sekuestruar rreth 500 kilogramë produkte ushqimore. Shumica e pikave improvizuese shisnin fruta dhe perime.
Në aksion morën pjesë inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, inspektorët komunalë të Qytetit të Shkupit, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe MPB-ja. Ndaj shkelësve do të ndërmerren masa kundërvajtëse.
Ndërkohë, në një aksion tjetër në fshatin Çajlë të Gostivarit janë sekuestruar 150 kilogramë mish me afat të skaduar, pa deklaracion dhe me origjinë të panjohur. Mishi është asgjësuar në deponinë Rusino.






