Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se bisedimet e deritanishme me Sofjen nuk kanë sjellë përparim dhe se në proces duhet të përfshihet drejtpërdrejt Bashkimi Evropian.
Duke folur në televizionin Sitel, Mucunski tha se takimet dypalëshe me palën bullgare kanë përfunduar pa një zgjidhje konkrete, duke theksuar nevojën për një rrugë më të parashikueshme drejt integrimit evropian.
Sipas tij, propozimi për përfshirjen e BE-së në bisedimet me Bullgarinë tashmë është komunikuar zyrtarisht në Bruksel dhe Sofje.
Mucunski tha se Maqedonia e Veriut ka nevojë për një zgjidhje që garanton siguri dhe parashikueshmëri në procesin e integrimit.
Duke komentuar raportimet se vendi mund të mos përfshihet në disa udhërrëfyes të rinj të BE-së për vendet kandidate, ai tha se pritet që Komisioni Evropian të publikojë këtë javë një dokument për politikën e zgjerimit dhe politikat e integrimit gradual.
Mucunski theksoi gjithashtu se, sipas tij, anëtarësimi në BE në fund është edhe vendim politik dhe jo vetëm çështje e përmbushjes së kritereve teknike.






