Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, ka marrë pjesë në Resnjë në aktivitetin e organizuar në kuadër të projektit “EU for Prespa”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UNDP në bashkëpunim me institucionet kombëtare dhe lokale.
Hoxha theksoi rëndësinë e mbështetjes së drejtpërdrejtë për fermerët përmes pajisjeve moderne, sistemeve më efikase të ujitjes, trajnimeve dhe teknologjive të reja.
“Prespa po tregon se mund të prodhojmë më mirë, të përdorim në mënyrë më efikase resurset dhe njëkohësisht të mbrojmë natyrën. Synimi ynë është që praktikat e suksesshme të zhvilluara këtu të shërbejnë si model edhe për rajone të tjera bujqësore në vend”, deklaroi Hoxha.
Aktiviteti u zhvillua në fillim të sezonit të vjeljes së mollëve në Prespë. Me këtë rast, zëvendësministri u uroi pemëtarëve një sezon të mbarë, prodhim cilësor dhe vlerësim të duhur për punën e tyre.
Në kuadër të projektit “EU for Prespa”, fermerët e rajonit përfitojnë trajnime, mentorim, pajisje dhe teknologji moderne, si dhe mbështetje për sisteme të avancuara të ujitjes dhe menaxhim më efikas të tokës dhe ujit.
Projekti synon mbrojtjen e resurseve natyrore, modernizimin e sektorit bujqësor dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për komunitetin lokal.






