Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka deklaruar se borxhi i komunës, i cili fillimisht arrinte në 15 milionë euro dhe me kamatë-vonesat ishte rritur në rreth 20 milionë euro, tashmë është ulur në rreth 3 milionë euro.
Kasami tha se komuna po punon për shlyerjen edhe të shumës së mbetur, me synimin që Tetova të dalë përfundimisht nga bllokada e përmbaruesve dhe të arrijë stabilitet financiar.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shlyejnë detyrimet për tatimin në pronë për vitet 2024 dhe 2025, duke theksuar se bëhet fjalë për obligime të prapambetura dhe se mospagesa mund të çojë në dërgimin e lëndëve te përmbaruesit.
Sipas Kasamit, për një pjesë të borxhit janë lidhur marrëveshje për pagesë të shtyrë me Ministrinë e Financave dhe rreth katër kompani, ndërsa pjesa e mbetur pritet të shlyhet gjatë dy deri në tre muajve të ardhshëm.
Kasami e mori drejtimin e Komunës së Tetovës në nëntor të vitit 2021, duke trashëguar, sipas deklarimeve të tij, detyrime të konsiderueshme nga administrata e mëparshme.






