Komuna e Strugës ka shlyer mbi 1.5 milion euro detyrime të akumuluara ndër vite, në kuadër të një procesi për sanimin e financave komunale dhe uljen e barrës së borxheve të vjetra.
Sipas kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, procesi i identifikimit, negociimit dhe shlyerjes së detyrimeve është zhvilluar nga janari deri në shtator të këtij viti dhe ka përfshirë borxhe të krijuara ndër vite, disa prej të cilave datojnë që nga viti 2007.
“Financat e Komunës po sanohen dhe borxhet e akumuluara ndër vite po shlyhen. Këto janë detyrime që kanë rënduar financat e Komunës për vite me radhë dhe kanë kufizuar projektet në dobi të qytetarëve”, deklaroi Qyra.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Komuna, 570 mijë euro detyrime janë shlyer përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta me kreditorët. Në këtë proces, Komuna ka negociuar me kreditorët për shlyerjen e borxheve të vjetra, ndërsa rreth 200 mijë euro kamata janë falur si rezultat i marrëveshjeve të arritura.
“Ne kemi marrë listat e detyrimeve dhe kemi nisur nga borxhet më të vjetra. Kemi kontaktuar kreditorët dhe, përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta, kemi arritur që të shlyejmë një pjesë të konsiderueshme të tyre. Shuma totale shkon deri në 570 mijë euro”, tha Qyra.
Komuna shprehu mirënjohje për kreditorët, personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë pranuar marrëveshjet dhe kanë kontribuar në procesin e shlyerjes së detyrimeve.
780 mijë euro përmes mekanizmit “nga borxhliu te borxhliu”
Një pjesë tjetër e detyrimeve është shlyer përmes mekanizmit të quajtur “nga borxhliu te borxhliu”.
Sipas Komunës, përmes këtij mekanizmi detyrimet shlyhen drejtpërdrejt përmes subjekteve juridike që njëkohësisht kanë detyrime ndaj Komunës. Në këtë mënyrë, sipas autoriteteve komunale, shmanget bllokimi i mjeteve në zinxhirin e detyrimeve.
Përmes këtij mekanizmi, deri më tani janë shlyer rreth 780 mijë euro detyrime.
Në total, Komuna e Strugës thotë se ka realizuar një proces të rëndësishëm të uljes së detyrimeve të vjetra, me synimin për të stabilizuar financat komunale dhe për të krijuar më shumë hapësirë buxhetore për investime dhe projekte të reja.
Sipas Qyrës, qëllimi i këtij procesi është që detyrimet e së kaluarës të mos vazhdojnë të rëndojnë buxhetin komunal dhe që Komuna të krijojë bazë më të qëndrueshme financiare për projektet e ardhshme./Ora24.tv






