Zbardhet rasti me videon e djegies së flamurit të Maqedonisë, një i mitur nga Tetova përfundoi në polici

Advertisement

Policia zbardh rastin, të përfshirë edhe tre fëmijë të tjerë
Policia e identifikoi autorin një ditë pasi videoja u zbulua gjatë monitorimit të rrjeteve sociale, ndërsa në këtë rast janë përmendur edhe tre persona të tjerë të mitur.

Policia ka zbardhur rastin lidhur me videon e publikuar në TikTok, në të cilën shihet duke u djegur flamuri i Maqedonisë. Është konstatuar se personi që qëndron pas profilit është një i mitur nën moshën 14-vjeçare nga Tetova.

Rasti është zbardhur nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë – Njësia për Krim Kompjuterik, në koordinim me Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Videoja ishte zbuluar më 22 shtator gjatë monitorimit të rrjeteve sociale. Nga MPB-ja thonë se me këtë përmbajtje është kryer vepra penale “shkaktim i urrejtjes, përçarjes ose jotolerancës mbi baza kombëtare, fetare dhe baza të tjera diskriminuese”, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit 319, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Pas ndërmarrjes së masave operative, më 23 shtator është përcaktuar identiteti i autorit të profilit.

Me të miturin është zhvilluar një bisedë zyrtare në ambientet e policisë, në prani të prindit të tij dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale në Tetovë. Sipas MPB-së, i mituri e ka pranuar veprën.

Me pëlqimin e prindit, për nevojat e procedurës dhe fotodokumentimit të provave, policia ka siguruar telefonin celular nga i cili ishte publikuar videoja.

Gjatë bisedës, i mituri ka përmendur edhe tre persona të tjerë të mitur, të cilët, sipas deklaratës së tij, kanë marrë pjesë në ngjarje. Policia ka njoftuar se edhe ata do të thirren në stacionin policor për zbardhjen e plotë të rastit.

Pas dokumentimit të plotë të çështjes, MPB-ja ka paralajmëruar se pranë Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë do të dorëzohet parashtresa përkatëse.

Duke qenë se bëhet fjalë për një person nën moshën 14-vjeçare, procedura e mëtejshme do të zhvillohet në përputhje me dispozitat ligjore që zbatohen për personat e mitur.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit